Një efektiv i Policisë së Kosovës u plagos me armë zjarri nga disa persona që po tentonin të grabisnin para nga një bankomat në Prishtinë. Rasti ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të së premtes në një qendër tregtare në lagjen Veternik, në Prishtinë.

“Me të marrë informatën, policia me shpejtësi ka dalë në vendin e ngjarjes dhe të dyshuarit për t’iu shmangur kapjes nga policia, kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë dhe, për pasojë, kanë plagosur një zyrtar policor, i cili menjëherë është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, thuhet në deklaratën e Policisë së Kosovës dhënë Radios Evropa e Lirë. Lidhur me këtë rast reagoi edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

“Policia e Kosovës është institucioni më i besuar në vend për zbatimin e rendit dhe ligjit. Zyrtarit policor, i cili u plagos sot gjatë kryerjes së detyrës, i dëshiroj shërim sa më të shpejtë.

Dua të theksoj se integriteti fizik i policit është i pacenueshëm dhe sulmet ndaj zyrtarëve policorë janë të papranueshme”, thuhet në një reagim të kryeministrit në rrjetet sociale.

Policia e Kosovës tha se po kryen ekzaminimet e nevojshme, si dhe po ndërmerr të gjitha masat policore për një hetim të detajuar, me qëllim të identifikimit të të dyshuarve.

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here