Thirrje Ambasadës Amerikane në Tiranë: Mos derdhni fonde të tjera për të shpëtuar një kauzë të dështuar

    0
    387

    “Don’t  throw good money after bad”

    Nga Frank Shkreli

    Ish-Drejtor I VOA-s për Euro-Azinë

    E vërteta është se e kam të vështirë të kritikoj Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, qoftë atë në Tiranë qoftë atë në Prishtinë.  Më vjen keq sepse si pjesëtar i komunitetit shqiptaro-amerikan, për 50-vjet tani, por edhe si një shqiptaro-amerikan që kam patur privilegjin dhe nderin të punoj nga afër me shumë diplomatë amerikanë të akredituar në trojet shqiptare për disa dekada dhe për të cilët ruaj gjithnjë kujtime shumë të mira dhe respekt.  Kishim pritur për  pothuaj një shekull – që  Kombi amerikan, më në fund, të zyrtarizonte lidhjet historikisht mike me Kombin shqiptar, të ndërprera për një kohë të gjatë nga regjimi diktatorial  komunist  i Enver Hoxhës. Falë  Zotit, sot kemi dy ambasada amerikane në trojet shqiptare: Një në Tiranë, e tjetra në Prishtinë – në Kosovën e çliruar, falë, kryesisht, ndërhyrjes ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj perëndimorë.  Për këto lidhje midis dy kombeve tona, unë si shqiptaro-amerikan dhe ne si komunitet këtu në Shtetet e Bashkuara, besoj se jemi shumë krenarë për punën e dy ambasadave tona në Tiranë dhe Prishtinë dhe në përgjithësi, gjatë tri dekadave të fundit kemi mbështetur veprimtaritë e tyre në të gjitha fushat, ose në ndonjë rast të pakëndëshëm edhe kemi heshtur për ndonjë gjë, për hir të rrethanave të mbrendshme politike në Shqipëri dhe në Kosovë.

    Por, kjo nuk do të thotë se ne si taksapagues amerikanë, me origjinë shqiptare, nuk kemi të drejtë të bëjmë vërejtje e madje edhe të kritikojmë mënyrat se si shpenzohen fondet e miratuara nga Kongresi Amerikan, përfshirë  Shqipërinë  dhe Kosovën.  Shtetet e Bashkuara, nepërmjet ambasadës së tyre në Tiranë, për disa vite tani, kanë mbështetur fuqimisht me fonde dhe me ekspertiza të ashtuquajturën  “Reformë në Drejtësi”, e cila sipas disa ekspertëve ka dështuar tanimë dhe sipas të tjerëve, në minimum, është e vonuar dhe nuk po zbatohet, megjithë derdhjen e fondeve të mëdha në këtë fushë nga ana e Shteteve të Bashkuara.  Nuk kam asnjë dyshim se qëllimet e ambasadës amerikane në Tiranë, historikisht, kanë qenë dhe janë qëllim-mira dhe pa hile.  Por, ama sot në fillim të vitit 2020, pas shumë vjet përpjekjesh, duhet të pranohet se megjithë masat serioze të ambasadës amerikane për reformën në drejtësi në Shqipëri, ato përpjekje, sot për sot janë, fatkeqësisht, të deshtuara.  Jo se ambasada amerikane nuk ka bërë mjaft në këtë drejtim, por për arsye se kjo klasë politike, duke filluar nga Kryeministri e poshtë, nuk e do këtë reformë dhe as nuk do e zbatojnë edhe po të arrihet në letër.

    Prandaj u habita kur pashë një njoftim në faqen fejsbuk të Ambasadës amerikane në Tiranë sipas të cilit, në bazë të një Memorandumi të nenshkruar të mërkurën midis USAID  dhe  Këshillit të Lartë të Gjyqësorit Shqiptar, është arritur një marrëveshje, “për të ofruar ndihmën teknike të nevojshme”, me qëllim për të zgjidhur problemin e Gjykatës së Lartë e cila sipas njoftimit të ambasadës na paska aktualisht pothuajse 35,000 dosje të prapambetura, për tu shqyrtuar.  Në njoftim thuhet gjithashtu se, “Sipas kësaj marrëveshjeje, një ekip i veçantë  juristësh të zotë shqiptarë do të punësohen për të ndihmuar gjykatën që të veprojë me më shumë efikasitet dhe të mundësojë që gjykatësit të marrin vendime më shpejt.”  More, vërtetë ka njerëz që besojnë se pas historisë së dështimeve të deritanishme në reformën e drejtësisë në Shqipëri, tani do të identifikohet, “Një ekip i veçantë juristësh të zotë shqiptarë”, që do ta zbërthejnë njëherë e mirë sekretin e problemeve në sistemin juridik shqiptar, përfshirë  edhe 35.000 dosjet e prapambetura dhe që nga puna e tyre të gjithë do të mbeten të kënaqur?  Beson njeri?  Ku ishin deri tani këta “juristë të zotë”?  Mos janë edhe këta pjesë e atyre juristëve të “zotë” që e kanë sjellë sistemin e drejtësisë në Shqipëri në këtë katastrofë, në të cilin gjëndet tani!  Keni ndonjë barometër të besueshëm për të matur pikëpamjet e shqiptarëve ndaj përpjekjeve për “reformën në drejtësi”, dhe ndaj juristëve të “zotë” shqiptarë në përgjithësi, megjithëse jam i sigurt se në radhët e tyre ka edhe të ndërshëm dhe profesionistë?

    Vërtetë pret ambasada amerikane në Tiranë se me këtë Memorandum të nënshkruar të mërkurën midis USAID dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit Shqiptar, dhe me gjithë fondet amerikane që do të derdhën përsëri “për Reformën Shqiptare në Drejtësi”, megjithëse shuma nuk përmendet në njoftim — numri i këtyre 35.000 çeshtjeve të prapambetura, do të zvogëlohet sa më shpejt që të jetë e mundur, siç thuhet në njoftim!?

    Është një thënje amerikane, “throwing  good money after bad”, që në thelb i referohet një situate kur dikush shpenzon fonde shtesë, në përpjekje për të shpëtuar një plan të mëparshëm të dështuar.  Si një taksapagues amerikan, më duket se kjo nismë nuk duhej të ndodhte në këtë rast.  E kuptoj se në të kaluarën janë harxhuar shumë fonde qeveritare amerikane dhe shumë kohë është kaluar nga eskpertë amerikanë gjatë viteve në Tiranë dhe se është shumë e vështirë të pranohet se të gjitha ato shpenzime e mundime gjatë viteve kanë shkuar kot.  Por shpenzimi i fondeve të tjera shtesë, siç propozohet me Memorandumin e lartë- përmendur, mund të jetë një aventurë tjetër e rrezikshme, jo vetëm e pa dobishme për objektivin e caktuar, por mund të jetë katastrofike për systemin e drejtësisë.  Pas 30-vjetë përvojë në Shqipërinë post-komuniste, duhet të jeni të vetdijshëm se dollarët në vetvete nuk do të zgjidhin problemet në Shqipëri dhe aq më pak problemet në sistemin juridik të atij vendi.  Po të kishte qenë një firmë private amerikane që do të kishte derdhur aq shumë fonde dhe investime pa sukses në fusha të ndryshme, sa ka derdhur qeveria amerikane në Shqipëri gjatë 30-viteve të marrëdhënieve dy-palëshe– dhe jo vetëm qeveria amerikane – një firmë e tillë do të kishte falimentuar me kohë.

    Kur flasim për vlera të përbashkëta, shqiptarët mund të jenë pro-amerikanë, por jo kjo klasë politike, megjithëse, sa për sy e faqe, ata shprehen se janë më pro-amerikanët në botë dhe u pëlqen të dalin në fotografi me zyrtarë të lartë amerikanë.

    Pretendimet e tyre pro-amerikane janë një hipokrizi e shekullit!  Të jesh pro-amerikan do të thotë të ndajsh të njëjtat vlera me Amerikën, përfshir sensin e drejtësisë dhe respektin për njerzit, të drejtat e tyre themelore, trajtimin e barabart dhe mirëqenjen e tyre.  Janë pra një serë idesh e parimesh dhe vizionesh që përbëjnë vlerat e përbashkëta. Nëqoftse do të merret seriozisht kjo klasë politike shqiptare, ajo duhet të bëjë më shumë në mbështetje të këtyre vlerave të përbashkëta dhe jo vetëm të falsin për to.

    Shumë prej këtyre politikanëve shqiptarë, nuk kanë asgjë të bëjnë me Amerikën, as me vlerat amerikane, fatkeqsisht.  Kam drojë se kjo klasë politike e ka përcaktuar tanimë veten se në ç’drejtim do ta çojë Shqipërinë duke e vrarë të ardhmen e brezave, ndonëse në përgjithësi, animet politike autoritare të udhëheqjes janë kundër vullnetit të popullit të saj, një pjesë e të cilit po voton me kembë duke u larguar nga vendi për në perëndim, për arsye të gjëndjes së krijuar ekonomike dhe politike – përfshir mungesën e një reforme të sistemit juridik.  Kryeministri i vendit shpreh haptas admirimin e tij për udhëheqsit autokratë të rajonit dhe për sistemet politike të kontrolluara prej tyre.  A është kjo një politikë që duhet të mbështetet me fondet e taksa paguesve amerikanë?  Së fundmi, qeveria e kryeministrit Rama i ka kërkuar KE-së që Shqipëria të tërhiqet nga Konventa e të Drejtave të Njeriut, sikur vetëm Shqipëria po përballet me pandeminë.  Është modeli i drejtësisë autoritare dhe jo ai i bazuar në sistemin amerikan, që kjo klasë politike po ndërton në Shqipëri.  Jo vlerat amerikane, të ndarjes së pushteteve, përfshir sistemin juridik dhe qeverisjen demokratike, “të popullit, nga populli dhe për poullin”.  Është e qartë se këta nuk kanë dashur as nuk duan reformë në drejtësi dhe as antarësim në Bashkimin Evropian.  Kjo marrveshje midis USAID dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit Shqiptar më duket si një shpenzim i kotë.

    Si një shtetas amerikan, i them këto fjalë në frymën e mesazhit që kishte ndarë me kolegët e tij ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry në Munich në vitin 2014:

    ”Jemi krenarë”, ka thënë ai se -”Ne përpiqemi që të përsosim sistemin tonë në mënyrë të hapur e transparente, me përgjegjësi për ta reformuar, për ta ndrequr ku e kur është e nevojshme dhe për ta përforcuar atë kur duhet.”  Kështuqë, ka thënë ai, ne i bashkohemi këtij dialogu me ju këtu në Munih, “duke ditur dhe duke pranuar të metat tona, por pranimi i mangësive tona nuk do të thotë se ne nuk do themi gjërat ashtu siç i shohim në vende të tjera, duke u bazuar në pikëpamjet dhe vlerat tona”.

    Prandaj, është më mirë të pranohet pra se përpjekjet, sado të drejta dhe të nevojshme që janë për një reformë rrënjësore në drejtësinë shqiptare, kanë dështuar!  Jo për arsye të mungesës së vullnetit të ambasadës dhe ndihmës amerikane për reformën në drejtësi, por në saje të mos vullnetit të klasës politike e cila mbron me çdo kusht interesat e veta dhe të oligarkëve të tyre mbështetës, në kurriz të interesave dhe të drejtave dhe lirive të popullit.  Si një shtetas krenar dhe taksapagues amerikan protestoj që të vazhdohet në këtë mënyrë, që taksat e mia të përdoren për aventura dhe kauza të dështuara, për të mbajtur në pushtet një klasë politike të dështuar dhe moralisht të korruptuar e cila në thelb nuk ndanë asnjë vlerë njerëzore, morale, politike, as drejtësie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë e them me plot bindje por edhe me dhimbje në zemër për bashkatadhetarët e mi sepse shoh, që siç është shprehur John Kerry, 6-vjet më parë në konferencën e Munichut në lidhje me influencat e oligarkëve, sidomos në Ballkan, se 6-vjet më vonë, asgjë nuk ka ndryshuar në Shqipëri as në Kosovë.

    “Aspiratat e qytetarëve po shtypen dhe po shkelen nga interesat e oligarkëve të korruptuar, interesa këto të cilat përdorin paratë për t’i mbyllur gojën opozitës politike dhe kundërshtarëve, për të blerë politikanët dhe entet mediatike dhe për të dobësuar pavarësinë e gjykatave ndërkohë që përdorin trysni duke abuzuar me të drejtat e organizatave jo-qeveritare për të ekzistuar dhe për të vepruar në ambientin e tyre”, ka thenë Xhon Kerri.  Kjo kritikë e Zotit Kerri ndaj disa vendeve ku oligarkët, sidomos në Ballkan, kanë uzurpuar jetën politike dhe ekonomike, e ku ata në shumë raste kontrollojnë dhe përdorin median për manipulimin e politikanëve dhe të zgjedhjeve  është një referencë e qartë se në këtë mes bota perëndimore nuk ndanë me këta politikanë dhe oligarkë pasurinë e përbashkët të vlerave universale, për të cilat u fol në Konferencën e Munihut.  Oligarkët dhe interesat e tyre i kanë zënë frymën shoqërisë dhe zhvillimit të saj demokratik dhe kanë helmuar e korruptuar klasën politike dhe median, për interes të tyre.

    Prandaj është më mirë, që përsa i përket reformës së dështuar në drejtësi dhe para se të derdhen fonde të tjera amerikane si në pus pa fund, të fillohet nga e para ose të hiqet dorë fare nga një përpjekje e tillë sado e dobishme dhe sado e nevojshme që të duket të jetë kjo nismë fisnike, por e gabuar.  Për ndryshe, si përfundim, rrezikohet që populli shqiptar të humbas besueshmërinë tek ambasada dhe shpresën tek Shtetet e Bashkuara, ashtu si shumica e shqiptarëve e kanë humbur me kohë shpresën tek kjo klasë politike shqiptare, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe gjithë spektrit politik shqiptar, pa dallim.  Mbaj mend një këshillë nga një redaktor i vjetër kur kisha filluar punën tek Zëri i Amerikës në fillim të viteve 1970-të, natyrisht në kontekstin e gazetarisë radiofonike të asaj kohe  i cili më pat thënë se do bëjsh gabime në karierën tënde, por kujdes e mos humb besueshmërinë tek dëgjuesit, sepse në qoftse humb besueshmërinë tek dëgjuesit, ke humbur çdo gjë dhe të shkon mundi kot.

    🇦🇱 | Gjykata e Lartë ka aktualisht pothuajse 35,000 dosje të prapambetura. Për të zgjidhur këtë problem, USAID dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor Shqiptar nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi më 29 prill, për të ofruar ndihmën teknike të nevojshme. Sipas kësaj marrëveshjeje, një ekip i veçantë juristësh të zotë shqiptarë do të punësohen për të ndihmuar gjykatën që të veprojë me më shumë efikasitet dhe të mundësojë që gjykatësit të marrin vendime më shpejt. Ashtu siç Shtetet e Bashkuara mbështetën fuqimisht miratimin e reformave gjyqësore, ashtu ne mbështesim fuqimisht zbatimin e plotë dhe në kohë të këtyre reformave. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Ne presim të shohim numrin e prapambetur të këyre çështjeve që zvogëlohet sa më shpejt që të jetë e mundur.

     

    🇺🇸 | The High Court currently has a backlog of almost 35,000 cases. To address this problem, USAID and the Albanian High Judicial Council (HJC) signed a Memorandum of Understanding (MOU) on April 29 to provide necessary technical assistance. Under the MOU, a special team of bright Albanian lawyers will be hired to assist the court to operate more efficiently and allow judges to make decisions more quickly. Just as the United States strongly supported the adoption of judicial reforms, we strongly support the full, timely implementation of these reforms. Justice delayed is justice denied. We look forward to seeing the backlog of cases reduced as quickly as possible

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here