Radhë kilometrike janë vënë re në kufirin midis Sllovenisë dhe Kroacisë apo Hungarisë e Serbisë pasi mijëra qytetarë po kthehen në vendlindje me rastin e festave të fundvitit. Udhëtimet po realizohen, pavarësisht paralajmërimeve të autoriteteve për masa të reja kufizuese.

Qytetarët e Ballkanit, që udhëtojnë nga Europa Perëndimore, drejt vendit të tyre të origjinës për të kaluar festat e fundvitit, kanë krijuar radhë të gjata që prej së shtunës. Udhëtimet e tyre po ndodhin pavarësisht paralajmërimeve të autoriteteve për vendosjen e masave të reja kufizuese kundër koronavirusit, që kanë për qëllim të ulin numrin e udhëtimeve gjatë Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

Radhë të gjata me vetura janë parë në kufijtë ndërmjet Sllovenisë dhe Kroacisë dhe po ashtu ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, ndërsa mijëra vetë kanë pritur për orë të tëra për ta kaluar kufirin të premten dhe të shtunën.

Shumë qytetarë nga shtete si Kosova, Turqia, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovina që punojnë dhe jetojnë në vendet e Europës Perëndimore, kthehen tradicionalisht kthehen në shtëpi me vetura gjatë festave të fundvitit.

Disa shtete të Bashkimit Europian, që kanë komunitete të mëdha të punëtorëve imigrantë, kanë vendosur masa të testimit të detyrueshëm për koronavirus dhe izolimin sapo ata të kthehen nga vendet e tyre të origjinës.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor në baza ditore raportojnë për numër të lartë të infektimeve dhe spitalet në mbarë rajonin janë të mbingarkuar me pacientë që kërkojnë ndihmë mjekësore. Vizitat e familjarëve që jetojnë jashtë vendit zakonisht bëjnë që njerëzit të kenë kontakte më të shumta dhe sipas ekspertëve kjo mund të sjellë përhapje më të madhe të virusit.

Përveç radhëve të gjata të krijuara nga qytetarët që po nisen për pushimet e fundvitit, vonesa në kufi janë shkaktuar për shkak të vendimit të Serbisë, që t’iu kërkojë teste negative të koronavirusit, të gjithë qytetarëve që hyjnë në këtë shtet.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, thotë se për shkak të fluksit të madh të qytetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe masave të ndërmarra kundër koronavirusit, në kufijtë e shteteve të Ballkanit pritja zgjat deri në dhjetë orë.

.

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here