Gazetarja Mira Kazhani ka reaguar pas publikimit në rrjetet sociale të borderove të Ujësjellësit, ku ajo figuronte si Këshilltare e UKT-së dhe që paguhej rreth 83 mijë lekë në muaj. Ky lajm është shoqëruar me komente të shumta në faqet satirike online, por edhe në disa portale.

Vetë Kazhani ka pohuar se ajo punon pranë UKT-së dhe se kjo nuk është në shkelje të ligjit. Ajo ka theksuar në shkrimin e saj se po të kishte fuqi do bënte edhe katër punë, pasi rroga si gazetare nuk i del për të mbuluar shpenzimet e jetës së saj.

Kazhani thekson më tej se nuk ka marrë asnjë dhuratë, as shtëpi as bileta nga politikanët Madje ajo shton më tej se për të paguar kredinë, do ishte e gatshme të këshillonte Bashën, Veliaj apo edhe Nard Ndokën.

Shkrimi i plotë i Mira Kazhanit
Vjet në prill pata një aksident, të cilin s’pata mundësi as ta jetoja si njeri normal që ka kaluar një traumë e ka parë me sy vdekjen për një çast.

Kjo, për ‘meritë’ të sulmeve, sharjeve, mallkimeve dhe linçimeve të orientuara mirë nga seli partish, të adresave të Facebook-ut, që u frymëzuan me rrena të disa politikanësh, të cilët, të pashpirt siç janë, e vdiqën djalin përsëgjalli.

Nertili është sot si drita. Jemi takuar bashkë në dhjetor dhe po shkrova një libër, mund ta them çfarë ndjenje ishte. Në telefon ruaj foton e tij, por edhe pse herë pas here lexoj mallkime për ‘djalin që vdiqe’, kam refuzuar ta postoj atë dhe sqarimin tim. Unë e di më mirë se shumë të tjerë që lajmi i mirë nuk bën punë dhe nuk tërheq askënd. Kam heshtur dhe rëndësi ka e vërteta ime.

Një vit më vonë, po në prill (ditën e fundit) portalet dhe rrjeti u mbush me lajmin e punës sime si këshilltare në UKT. Kam lexuar aq shumë urrejtje dhe po shoh sesi trimëron një pjesë e politikës për një rrogë brenda çdo rregulli dhe parimi.

Kjo politikë që duhet të vrasë mendjen për të varfrit për abuzuesit, për ata që rrinë tërë ditën në kafe dhe Facebook dhe nuk punojnë, për tendera sekretë dhe për atdheun që po e skadojnë, ata që janë shumë, jo unë.

Miliardat e vjedhura, jo rroga e kujt bën atë që di. Është për turpin e PD-së që në vend të ngrihet për çështje të mëdha, konsumon gjithë anëtarësinë e saj për një gazetare që figuron edhe këshilltare, vetëm pse është e pozicionuar majtas. Unë jam gazetare e angazhuar, ky nuk është më lajm. Këshilltare është hera e dytë që punoj. Kam qenë edhe në qeverinë Berisha në 2010-n.

Po, unë kam edhe një punë të dytë, sepse nuk ma ndalon asnjë ligj dhe për sa kohë nuk kam shkelur asnjë parim, po të mundja do bëja dhe tre apo katër punë. Sa të kem fuqi, sepse rroga si gazetare nuk më del askund dhe nuk ia dal të përballoj jetën si një grua që jetoj vetëm, pa asnjë mbështetje. Po më mallkoni pse punoj? Seriozisht qenka ky halli juaj? Pse unë bëj dy punë?

Do të këshilloja edhe Erion Velinë, edhe Lulzim Bashën, edhe Nard Ndokën, me qëllim për të paguar kredinë. Nuk kam marrë kurrë një dhuratë nga ndonjë politikan. As shtëpi, as bileta ndeshjesh për në San Siro, as pushime apo qoftë edhe një stilolaps. Nuk kam marrë kurrë dhuratë as një kupon nafte nga ndonjë oligark. Asnjë kacidhe!

Nuk jam e s’do jem kurrë e këtyre marifeteve dhe kur shoh sesi më shani, kur shoh disa që bëjnë parimorin dhe shesin moral mbi foton time më shfaqen aq shumë gjëra që di për ta e që po ju helmojnë ju që i ndiqni me sinqeritet.

Po kjo historia e taksave? Çfarë taksash pretendoni? Për ato që do paguani për 30 vjetët e ardhshëm besoj?! Sa për mua, unë kam ngrënë vetëm taksat e mia dhe të askujt tjetër! Taksat tuaja kërkojini tek miliardat, zgjohuni nga narkoza se sot radha ime nesër nuk i dihet. Unë isha kocka që nuk i dhemb kujt. Dhe zakonisht këto zilitë e vogla e çajnë rrjetin, sepse si unë jemi në shumicë dhe me mua krahasohesh më lehtë sesa me të Fortët. Masakroni ata që punojnë e duartrokisni për ata qe ju vjedhin!

Në fund, dy fjalë për rrjetin: Rrjeti ka të drejtë, ai dhe shumë prej jush nuk keni faj. Mënyra sesi u orkestrua ky lajm, me qëllim mbulimin e halleve të ditës, ishte i përsosur. As unë nuk po e njoh veten në këtë valë urrejtje. Më duket sikur rroga ime e dytë, erdhi uji, iku uji, është problemi më i madh i vendit dhe unë heq dorë nëse kjo ju rregullon jetën. Por do gjej një tjetër, dy, tre, sepse të punoj është e vetmja mënyrë që njoh!

Bjeruni atyre që punojnë. Vajza, djem, gra, burra që nuk vjedhin, por punojnë. Aman vetëm ruani e mallëngjehuni me ata që iu vjedhin, tjetërsojnë prona e ju mashtrojnë nga mëngjesi në darkë. Amanet armatën atyre që “e ndritën” këtë vend e që duan të mendoni se kush punon duhet vrarë me bukë në gojë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here