Zbardhet dëshmia e Vangjel Polovinës, autorit të ngjarjes së rëndë ditën e djeshme ku mbeti i vrarë me kallashnikov, 41-vjeçari Ajet Guneli në fshatin Goraj në Kuçovë. Para efektivëve të policisë, Polovina e ka pranuar autorësinë e këtij krimi, duke thënë se viktimës i kishte marrë me qira një stallë derrash dhe në pamundësi për t’i paguar qiranë në kesh, i jepte mish derri. Më tej 44-vjeçari thotë se ai ishte likuiduar me Gunelin, por një natë para krimit viktima e kishte telefonuar duke e ofenduar dhe kërcënuar. Pas kësaj ai mori automjetin e tij tip furgon, kallashnikovin dhe u nis drejt vendit ku Guneli pinte kafenë dhe qëlloi drejt tij, duke pranuar se i zbrazi të gjithë karikatorin e kallashnikovit.

“Unë i kisha marrë me qira Ajetit një stallë derrash në fshatin Perondi, ku edhe jetoj. Deri në vitin 2019 i kisha paguar rregullisht të gjitha detyrimet e qirasë, dritave dhe ujit të kësaj godine. Në vitin 2020 isha vonuar në disa muaj pagesash dhe kur erdhi Ajeti nga Anglia disa javë më parë më kërkoi të takoheshim.

U takuam dhe pasi i thashë që nuk kisha lekë gjendje për ta paguar, ramë dakord që borxhin në lekë ta likujdoja me mish derri. Dy ditë para vrasjes, i kam dhënë Ajetit 46 kg mish, që korrespondonin në vlerë lekësh me borxhin që i kisha mbetur për 2 muaj e gjysmë qira. Unë mendova se u likujduam por Ajeti më mori në telefon një ditë më vonë, dmth natën para vrasjes. Unë nuk e kisha ndjerë telefonin dhe kur u zgjova në mëngjes e pashë që më kishte telefonuar dhe e mora mbrapsht.

Sapo ma hapi telefonin, pa më lënë as ta përshëndes më ka sharë dhe më tha “do të vras,do të heq qafe”. Në këtë moment,kam hipur në mjetin tim “furgon” dhe në sedilen e pasagjerit vendosa kallashnikovin. Vajta tek lokali ku ai pinte kafen dhe pa zbritur nga makina i thirra për t’u afruar. Ajeti, sapo më pa, më erdhi drejt me vrap duke më sharë dhe me një karrige në dorë për të më qëlluar, pa e ditur se unë kisha armë me vete. Në këtë moment, kam dalë jashtë me armën në dorë dhe kam qëlluar një herë në ajër për t’u shpërndarë personat e tjerë që ndodheshin në lokal. Ajeti filloi të bridhte me vrap dhe u rrëzua në tokë.Aty kam filluar të gjuaj me breshëri në drejtim të tij dhe pasi shkreha 1 karikator të tërë kallashnikovi dhe më pas u largova me furgon nga vendngjarja”, -ka thënë në deklaratën e tij në polici, autori i krimit, 41-vjeçari Vangjel Polovina.

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here