Memorie.al/ publikon për herë të parë tre foto të rralla të vizitës së Enver Hoxhës në “Vend-komandën qendrore të Ushtrisë”, ku ndodhen ambjentet e vendstrehimit nëntokësor të Shtabit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, (i njohur që nga viti 2014, si “Bunkart 1”). Ky vëndstrehim nëntokësor i ndërtuar në veri-lindje të kryeqytetit diku në kodrat e Tufinës, (ku deri në fillimin e viteve ’90-të, ishte përqëndruar një pjesë e madhe e reparteve ushtarake të Ushtrisë Shqiptare, Uzina e Artilerisë, Ndërlidhja etj.), do të konsiderohej si një nga komplekset ushtarake anti-atomike më të rëndësishme të Shqipërisë komuniste.

Punimet për ndërtimin e këtij kompleksi gjigand, filluan diku nga viti 1972, menjëherë pasi Enver Hoxha dhe udhëheqja e lartë komuniste shqiptare filloi divergjencat e para me miken e saj të ngushtë, Partinë Komuniste të Kinës, gjë e cila erdhi pas vizitës së presidentit amerikan, Richard Nixon, në Kinë.

Për ndërtimin e atij kompleksi, projekti i të cilit realizohej për herë të parë, u punua intensivisht nga forcat xheniere të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, (ushtarakë dhe civilë), ku disa specialistë të saj, xhenjerë ushtarakë, (si kolonel Josif Zegali etj.), teknikë dhe inxhinierë e specialistë civilë, etj., kishin shkuar për të marrë eksperiencë dhe për t’u specializuar në ndërtimin e objekteve të tilla ushtarake fortifikuese, në Korenë e Veriut, e deri në Suedi, Danimarkë dhe disa vënde të tjera skandinave.

Ndryshe nga si ishte vepruar deri në atë kohë, (por dhe më pas deri në vitin 1990-të), që objektet xheniere fortifikuese, si tunele, qëndra zjarri, depo ar matimi, etj., kryeheshin me punën e krahut të ushtarëve të reparteve të punës, (ushtarë që nuk kishin të drejtën e mbajtjes së ar mës), që vinin nga familje me probleme biografike, aty u punua me ushtarë, specialist dhe punëtorë civilë që kishin garanci nga ana biografike, pasi ai objekt konsiderohej dhe ishte një objekt “Tepër sekret i një rëndësie të veçantë”.

Destinacioni i atij objekti gjigand që i kushtoi shumë nga ana financiare shtetit shqiptar, ishte për strehimin në rast të një sulmi ushtarak ndaj Shqipërisë, të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Kryeministrit së bashku me kabinetin qeveritar, dhe sigurisht aty do të strehoej edhe Sekretari i Parë i Komitetit Qëndror të PPSH-së, Enver Hoxha, pasi ai ishte edhe Komandanti i Përgjithshëm të Forcave të Ar matosura të Shqipërisë, nga ku presupozohej se ai do drejtonte luftën.

Dhoma e Enver Hoxhës, si Komandanti i Përgjithshëm i Forcave te Ar matosura të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, ishte një zyrë e madhe dhe më luksoze nga të gjitha ambientet që ishin aty. Ajo ishte projektuar dhe do të shërbente për punë dhe banim në kushte normale, jo vetëm për të personalisht, por edhe për bashkëshorten, Nexhmijen dhe familjen e tij, (me stafin e ngushtë që do u shërbenin për rast lufte), por ajo gjë nuk u tha kurrë publikisht në atë kohë, pasi ajo gjë, ashtu si dhe vetë objekti, ishte “Tepër sekret dhe i një rëndësie të veçantë”.

Zyra e Enver Hoxhës është e përbërë nga një paradhomë, në të cilën do të qëndronte sekretari personal, një zyrë pune, një dhomë gjumi dhe një tualet. Mobilimi tyre, edhe pse nuk është i një luksi të veçantë, mbetet më eleganti nga të gjithë mjediset e tjera të atij objekti gjigand. Vetëm në këtë dhomë, si dhe në atë të dedikuar për kryeministrin Mehmet Shehu dhe në atë të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Petrit Dume, ishte vendosur moket, ndërsa muret e saj janë të veshura në fiber, material sintetik që në atë kohë, konsiderohej si luksoz dhe me vlerë të madhe.

Ambientet e destinuara për Mehmet Shehun si Ministër i Mbrojtjes Popullore, përbëhen nga: paradhoma për sekretarin, dhoma pune, dhoma gjumi dhe banjo. Ato janë vendi i dytë më luksoz i gjithë strukturës dhe janë vetëm pak metra më të vogla në kubaturë, në krahasim me atë të Enver Hoxhës. Ndërsa në dhomat e Enverit, muret janë të veshura me fibrën e shtrenjtë, muret në dhomat e Mehmet Shehut, janë të veshur me dru.

Enver Hoxha nuk ka fjetur asnjëherë në këtë dhomë, edhe pse ai mori pjesë në dy stërvitje ushtarake pas inaugurimit zyrtar që u bë objektit më 24 qershor të vitit 1978. Këto dhoma, thuhet se në projektin fillestar ishin të rezervuar për kryeministrin Mehmet Shehu, i cili në periudhën e ndërtimit të bunkerit (1972 – 1978), në cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes Popullore, e kishte inspektuar dhe surpervizuar gjithë ndërtimin e strukturës së tij.

Në këto tre foto, shihet qartë Enver Hoxha, i cili po viziton ambjentet e këtij vend-strehimi, brenda dhe në hyrje të objektit dhe ndryshe nga vizitat e tij të zakonëshme, atë nuk e shoqërojnë personalitete të larta, partiake dhe shtetërore, por aty shihen disa ushtarakë të rangjeve jo të larta, të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, të cilët kishin punuar për ndërtimin e tij. Kompleksi i vend-strehimit nëntokësor të Shtabit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, nuk u vu kurrë në përdorim. /Memorie.al

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here