Kur do kapen “peshqit e mëdhenj”? Ja si përgjigjet Yuri Kim |


Ky postim është lexuar tashmë 2 herë!

Kush e ka harruar metaforën e Donald Lu për kapjen e “peshqve të mëdhenj”? Kush nuk u zhgënjye nga premtimet e ish ambasadorit amerikan që paralajmëronte kapjen e peshqve të mëdhenj nga prokuroria e Arta Markut?

Donald Lu iku për në Kazakistan, por ai la pas memet me peshq dhe Juri Kim duket se nuk ndan të njëjtin sens humori me të, ose nuk e sheh të arsyeshme të bëjë humor. Në bisedën për reformën në drejtësi në Opinion, e pyetur nga Fevziu për metaforën e peshqve të mëdhenj, Kim u përgjigj ftohtë, duke e zhvlerësuar shprehjen e paraardhësit të saj si një shpërqëndrim nga faktet.

Blendi Fevziu: Kemi dëgjuar për shumë kohë që peshqit e mëdhenj do të kapen dhe do dalin para gjykatës. Deri tani, asnjë peshk i madh nuk po shkon në gjykatë dhe peshqit e mëdhenj që ishin në burg po dalin për shkak të vendimeve të fundit të gjykatave. Çfarë ndodhi me peshqit e mëdhenj?

Ambasadorja Kim: Blendi, ndonjëherë kam përshtypjen që këto shprehjet që përdorni përdoren si shpërqendrim. Ajo ku do të përqendrohem unë janë faktet. Për tepër kohë, njerëzit e pushtetshëm në Shqipëri kanë funksionuar me pandëshkueshmëri. Kjo kohë po i afrohet fundit.

Një tjetër moment kur Kim u nda në qëndrimet që mbante Donald Lu, ishte kur kërkoi që t’i jepet fund pritshmërive fëminore nga SPAK dhe BKH, njësoj sikur këto të jenë pjesë e filmave aksion.

“Mendoj se duam që çdo gjë të ecë sa më shpejt që të jetë e mundur por duhet edhe të sigurohemi që, teksa ecin përpara, ta bëjnë këtë me themele të forta, sepse nëse nxiton ekziston rreziku për të dështuar. Dhe nuk duam të dështojnë. Përsëris edhe një herë: propagandë. Ata që nuk e duan reformën në drejtësi paraqesin pritshmëri tepër të larta që nuk mund të arrihen tani; mendoj se po krijojnë këtë përshtypje sikur reforma në drejtësi, BKH, prokuroria e posaçme, SPAK, janë si ndonjë film aksion”.

Në fakt krahasimin me filmin aksion “The Untouchables” (Të paprekshmit) e ka bërë Donald Lu kur lajmëronte krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Donald Lu madje ishte aq detajist kur tregonte filmin, saqë citonte Shon Konerin duke transmetuar në opinionin publik idenë se SPAK dhe BKH do të bënim namin kundër krimit dhe të korruptuarve. Lexoni çfarë thoshte ish ambasadori në mars të vitit 2016.

“Kur isha në universitet, Hollivudi nxori filmin e titulluar “The Untouchables” (Të Paprekshmit). Aktori i famshëm shqiptaro-amerikan Robert DeNiro luante rolin e gangsterit Al Kapone. Historia zhvillohej mbi njësinë elitare hetimore të quajtur “të Paprekshmit”. Ata nuk ishin quajtur të tillë për shkak se qenë mbi ligjin, por sepse ishin të imunizuar prej korrupsionit dhe frikësimit. Në një kohë kur Çikago qe e mirënjohur për korrupsionin në nivele të larta dhe kontrollin e mafias të ngulitur thellë, kjo njësi e pakorruptueshme, e pavarur, qe në gjendje të arrestonte Al Kaponen e famshëm. Kjo është ajo që ne shpresojmë se do të krijohet në Shqipëri – një njësi e pavarur hetimore për të luftuar korrupsionin dhe krimet e kryera nga zyrtarë të lartë. Ka një propozim që kjo të jetë pjesë e funksioneve të Byrosë Kombëtare të Hetimit ose BKH-së, e bërë sipas modelit të FBI-së amerikane”

Donald Lu, mars 2016

“Më lejoni ta përfundoj me një citim nga filmi “të Paprekshmit”. Njëri prej policëve elitarë, i luajtur nga Sean Connery, e pyet prokurorin që është kreu i të Paprekshmëve: “Ju më thatë se donit të kapnit Kaponen. A doni ta kapni atë me të vërtetë? A e kuptoni se ajo që po them është: çfarë jeni të përgatitur të bëni?” Prokurori i përgjigjet: “Gjithçka brenda ligjit”

Donald Lu, mars 2016

Juri Kim gjeti në Tiranë pritshmëri të larta për SPAK dhe BKH, pikërisht për shkak të deklaratave të tilla. Por tashmë që Shqipëria nuk ka ende as Gjykatë Kushtetuese, as Gjykatë të Lartë dhe një prokurori të telendisur nga ndërhyrjet politike, fryma e filmave aksion është e pavend.

Pikërisht për këtë, në intervistën për Blendi Fevziun në Opinion, mesazhet e ambasadores qenë krejt ndryshe nga parardhësi i saj. Me këmbë në tokë dhe duke shmangur tonet pompoze, Juri Kim la mënjanë frymën e propagandës që ka karakterizuar në përgjithësi ndërkombëtarët kur flitej për reformën në drejtësi, si një sukses i padiskutueshëm.

Ambasadorja i qëndroi linjës se reforma në drejtësi ka ecur para kur tha se “katër vjet e katër muaj është një kohë e gjatë, ama më duhet të them që është bërë përparim”, por u rezervua për t’u shprehur e kënaqur nga rezultatet e deritanishme.

“Unë nuk e humbas shpresën për situatën në Shqipëri. Por, është po ashtu e vërtetë se jemi në një çast kritik. Ata që janë kundër reformës në drejtësi po intensifikojnë përpjekjet” u shpreh ambasadorja, pa përmendur emra se kush është kundër reformës në drejtësi.

The post Kur do kapen “peshqit e mëdhenj”? Ja si përgjigjet Yuri Kim appeared first on Mega News.



Source link

Share:

Author: admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *