Kisha e Shën Thanasit në Karavasta është një objekt monument kulture me vlera në trashëgiminë tonë kulturore. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka publikuar një material me fotografi për këtë kishë monument kulture, ku restaurimet janë kryer nga mjeshtri Mustafa Arapi. “Shikoni çfarë mrekullie! Është cilësuar si kisha mrekulli e trashëguar me adhurim nga vendasit që prej viteve 1700, e shpallur monument kulture. Është ndër kishat e rralla në Shqipëri afresket e së cilës janë restauruar të gjitha duke na dhuruar një monument befasues të rilindur.

Restauruesi i tyre është profesori Mustafa Arapi. Kisha e Shën Thanasit në Karavasta është një nga ndalesat e Rrugëve të Besimit në Qarkun e Fierit, një prej destinacioneve në hartën turistike të Fierit, pjesë e turizmit kulturor dhe besimit. Afresket janë punuar nga vëllezërit Çetiri”, shkruan IKTK. Projekti për këtë restaurim pesë vite më parë u hartua nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe atë kohë u bë me dije se kap vlerën e 12 milionë lekëve. Kisha e Shën Thanasit daton në gjysmën e dytë të shekullit XVIII në vitin 1778. Në vitin 1979 piktorët grabovarë (Çetirët) Gjergj dhe Joan Katro pikturuan kishën me afreska. Tavani është i punuar në dru halor, i gruntuar dhe i dekoruar me motive floreale si dhe pjesërisht i gdhendur, kryesisht në rozetat kryesore të pikturuara me figurën e Krishtit në qendër dhe figurën e Shën Athanasit, si dhe në frizat gjatësore.

Piktorët grabovarë Joani dhe Gjergji kanë adaptuar në ikonografi tematikën e vendosur në kishën Ortodokse, të pasuruar me elementë stilistikor të influencuara nga zhvillimet artistike në malin e Athosit, të përdorur më parë nga mësuesit e tyre Konstandin dhe Athanas Zografi, duke iu përshtatur njëkohësisht me përpikëri edhe mënyrës së radhitjes së skenave. Tematika e tyre origjinale në kishën e Shën Thanasit në Karavasta përfaqësohet nga skena të Testamentit të Vjetër, kryesisht nga libri i parë “Të Bërët”, ku gjejmë kompozime si Krijimi i Adamit, Mëkati i Parë i Adamit, Dëbimi i Adamit dhe i Evës, Përmbytja e Noes, etj, të cilat janë realizuar për herë të parë nga këta piktorë. Në çerek kupolën e konkës së absidës është pikturuar Shën Mëria./Sot.com.al

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here