Kalaja e Stelushit, e cila njihet gjithashtu si Kalaja e Varoshit ose Kalaja e Skënderbeut është një kala që ndodhet në skajin verilindor të luginës së Matit.

Nga studimi që i ka bërë qytezës së lashtë, njëri nga arkeologët më të shquar të vendit tonë, prof. Skënder Anamali, ka konkluduar se: “Kalaja me qytezën e saj i takojnë shek. V-të para Krishtit, dhe ka vijuar jetën e saj deri në fillim të shek. XVI-të, kohë në të cilën push tuesi turk, gradualisht e shkatërroi”

Kalaja është ndërtuar në një kreshtë mali, në një lartësi prej 1225 m, në anën lindore të Malit të Dejës. Poshtë e në këmbë të kalasë ishte ndërtuar qyteza e saj, por emri i lashtë nuk dihet. Ajo u ndërtua sipër vendin të quajtur Shkalla e Deshëve, pak e mënjanuar nga qafa, më qëllim që të ruante fshehtësinë e të mos binte në sy të kundërshtarit.

Në dokumentat turke kjo kala quhej Istulush ose Stelush kurse banorët vendas përreth kalasë e quajnë Varosh ndërsa shkëmbin ku ka qenë e ndërtuar kalaja e quajnë Kalaja e Skënderbeut ose dhe kalaja e Varoshit. Kjo kala dhe objektet përreth përbëjnë një qytet të lashtë dhe, janë kryer punime studimore nga një ekspedite arkeologjike e udhëhequr nga arkeologu i shquar Skënder Anamali, i vetmi që e studioi qytetin antik.

Marin Barleti kur flet për Stelushin thotë “Edhe ky qytet megjithëse nga madhësia me të drejtë nuk mund të lavdërohet por nga mbrojtja natyrore e vendit, nga bukuria dhe shëndeti, me plot të drejtë mund ta çosh në qiell, është një mal në fushat e Matit, i lartë në mes të një lugine të bukur si të ishte vënë atje me qëllim. Vetë qafa e këtij mali, e rrethuar për bukuri me mure, formon këtë qytezë”.

Janë pikërisht këto rrënoja që mbaritin në vetvete histori që kushdo do të kishte etjen për ti dëgjuar dhe që sot është një destinacion sa historik e kulturor po aq dhe natyror me peizazhin që dhuron./DiasporaShqiptare.al

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here