Në ditën e parë të nisjes së vitit të ri shkollor, kreu i PD, Lulzim Basha ka uruar të gjithë nxënësit dhe mësuesit. Sipas tij, ky është një vit i vështirë, ku ata do të përballen me orë të zgjatura, por është i bindur se do t’ia dalin me sukses.

Teksa thotë se normalitet do të rikthehet, Basha i bën apel të gjithë të rinjve që të respektojnë të gjitha masat për parandalimin e virusit.

“Të dashur nxënës dhe mësues që sot nisni vitin e ri shkollor, ju uroj nga zemra suksese!

Urime më të mira për mësuesit tanë që këtë vit do të përballen me orare të zgjatura dhe vështirësi më të mëdha se vitet e tjera. Jam i bindur se me përkushtimin për profesionin dhe kujdesin për nxënësit, do t’ia dilni me sukses për të përballuar këtë realitet të ri dhe sfidues.

Një urim i veçantë nga zemra për vogëlushët që sot ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Askush nuk do donte që dita juaj e parë e rrugëtimit drejt dijes të ishte si kjo e sotmja në mes të pandemisë, shoqëruar me masa të veçanta që e bëjnë të vështirë këtë fillim shkolle.

Urime të gjithë gjimnazistëve në këtë vit sfidues! E di se do ta keni të vështirë të ruani distancën, pasi e tillë është edhe energjia e moshës, por ju lus të silleni me vetëdije, se nga sjellja juaj varen jetë njerëzish.

Normaliteti do rikthehet sërish, e ju mund të kapni kohën e humbur me njëri-tjetrin. E vetmja gjë që nuk kthehet është jeta. Prandaj lutja ime për të gjithë ju është: respektoni masat, ruani veten dhe njëri-tjetrin. Ditë më të mira na presin”, shkruan Basha në Facebook.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here