Dr. Alvin Saraçi

Historian

Në shek. XVII dhe në gjysmën e dytë të shek. XVIII, Elbasani ishte kryeqendra e Sanxhakut të Elbasanit dhe përfshinte: Durrësin, Tiranën, Kavajën, portin e Bashtovës në grykëderdhjen e lumit Ishëm, fushën e Myzeqesë në jug, Peqinin dhe Gramshin. Qendrat tregtare dhe artizane më të rëndësishme të Shqipërisë së Mesme ishin asokohe: Tirana, Elbasani, Kavaja dhe Durrësi. Në gjysmën e dytë të shek. XVIII, kur Bushatlinjtë morën drejtimin e Sanxhakut të Elbasanit, ai u bë pjesë e Pashallëkut të Shkodrës (1757-1831), që shtrihej në Shqipërinë Veri-Qendrore dhe përbëhej nga sanxhakët e Shkodrës, Prizrenit, Elbasanit, Dukagjinit dhe Ohrit.

Elbasani (i njohur me emrin antik Skampa) del në pah si një qytet i rëndësishëm, i vendosur në qendër të Shqipërisë përgjatë Rrugës Egnatia, që ishte vazhdim i Rrugës Apia që lidhte Romën me Kostantinopojën. Kjo ishte rruga e mesazheve diplomatike ose Via dei Dispacci me Stambollin dhe viceversa, që shkëmbeheshin me autoritet veneciane deri në shek. XVI dhe franceze në shekujt XVII-XVIII. Në shekujt e mëvonshëm venecianët do të ndiqnin rrugën e Kotorrit, që kalonte përgjatë Malit të Zi, Sanxhakut të Shkodrës dhe Kosovës. Ajo ishte gjithashtu një rrugë tregtare dhe vendkalim për mallrat dhe shkëmbimet tregtare me Venecien me anë të portit të Durrësit dhe porteve të tjerë shqiptarë për zonat në brendësi të Ballkanit sipas itinerarit: Durrës – Peqin – Elbasan – Strugë – Ohër – Manastir – Follorinë – Selanik – Stamboll.

Shqipëria ishte një vend që kishte përparësi për Venecien nga këndvështrimi ekonomiko-tregtar sesa politik për produktet shqiptare të cilësisë së lartë si leshi, gruri, lëkurët, misri, duhani, vaji i ullirit, mëndafshi, gëzofi i kafshëve të egra, kërmëza e valanidhit për ngjyrosjen e pëlhurave, pisa ose katrami, havjari (vezët e kripura të peshkut), pastërmaja etj, që kishin fituar jo vetëm tregun venecian në veçanti, por edhe atë europian dhe si udhëkryq i rrugëve ndërballkanike. Për Elbasanin flitet në një relacion të 16 majit 1591 të Ambasadorit venecian në Stamboll Lorenzo Bernardo, që kishte zëvendësuar bailin e mëparshëm Giovanni Lippomano, i cili kaloi në Elbasan gjatë udhëtimit drejt Stambollit, i shoqëruar nga ambasadori i Kotorrit Giovanni Bolizza.

Më 1580 ishte krijuar në Elbasan korporata ose esnafi i tregtarëve. Edhe në Venecie ekzistonte një gild i ngjashëm i quajtur la Scuola dei Mercanti.

Lidhjet e Elbasanit me Venecien dëshmohen nga emrat e 21 tregtarëve të Elbasanit që figurojnë në një letër drejtuar konsullit venecian të Durrësit Pietro Rosa që zhvillonin tregtinë me Venecien me anë të portit të Durrësit. Madje, duke iu referuar dokumenteve në Arkivat Shtetërorë të Venecies, ata kanë edhe përfaqësuesit ose korrespondentët e tyre në Venecie dhe i drejtojnë peticione dhe letra autoriteteve veneciane për tregtinë të përfaqësuar nga Senati dhe Pesë të Urtët për Tregtinë dhe për t’i kërkuar uljen e taksave doganore, zhdëmtimin në rastin e mbytjes së anijeve të mallrave të humbur, zgjidhjen e çështjeve tregtare etj. Në dokumentet veneciane Elbasani del me emrin e tij në shek. XVIII, ndërsa në shekujt e mëparshëm njihet me emrin Terranuova. Për shembull, më 18 prill 1704, tregtarët e Shkodrës dhe të Elbasanit i premtuan Senatit venecian që t’i dërgonin mallrat në Venecia me anë të konsullatës veneciane të Durrësit. Kjo sigurisht përcaktoi se kush do të ishte partneri kryesor për tregtinë me Shqipërinë gjatë shek. XVIII.

Një dokument më rëndësi i periudhës osmane ishin dhe ligjet ose kanunametë si Kanunameja e Sanxhakut të Elbasanit ku sanksionoheshin çmimet e mallrave, taksat, masat dhe peshat, të cilat kishin rëndësi për panairet dhe tregtinë interurbane (qendrat tregtare brenda vendit) dhe doganat për tregtinë ndërkombëtare që zhvillohej kryesisht me Venecien dhe Gadishullin Apenin. Në vitet 1562 -1583, taksa doganore që tërhiqej nga dogana e Durrësit, që bënte pjesë me Sanxhakun e Elbasanit ishte 5 akçe çdo 100 akçe për tregtarët venecianë dhe të huaj, ndërsa për tregtarët e Perandorisë Osmane ishte 3 akçe çdo 100 akçe.

Në shekujt XVI-XVII, Elbasani shfaqet si një nga qytetet më të zhvilluara të Shqipërisë. Në shekullin XVI numëroheshin rreth 400 zejtarë dhe artizanë, çka dëshmon për zhvillimin që pati artizanati[8], ndërsa në shek. XVII kishte rreth 60 zeje të ndara në 30 esnafe[9]. Në esnafet dhe gildet e Elbasanit që i përkisnin profesioneve të ndryshme mblidheshin tregtarë dhe artizanë, të cilët kishin statutet e tyre që njihen si kodikë si përshembull: argjentarët (kullunjxhinjtë), gëzoftarët, drugdhendësit, kazanxhinjtë, ar mëtarët, terzinjtë (rrobaqepësit), fespunuesit, leshpunuesit, kazazët ose mëndafshpunuesit, lëkurëpunuesit etj. Dyqanet e samarxhinjve, mëndafshpunuesve dhe argjentarëve përmenden nga udhëtarët e huaj si nga më dekorativët e pazarit të Elbasanit[10].

Lëkurëpunuesit ose tabakët ishin esnafi më i rëndësishëm dhe e kishin selinë në zonën Qoshku i Tabakëve, e cila së bashku me xhaminë dhe Sheshin e Tabakëve gjendej në mes të pazarit. Lëkurëpunuesit ishin vendosur në lagjen Tabakhane dhe merreshin kryesisht me regjjen e lëkurëve dhe punimin e saftianit (cordovane) lëkurë dhie me ngjyrë të verdhë dhe të kuqe (që quhej kajser), meshinit ose lëkurëve të qengjit dhe qoselesë (lëkurë me shkëlqim), të cilat bënin pjesë ndër produktet e cilësisë së parë, për të cilat Shqipëria zinte një vend parësor në tregtinë ndërkombëtare me Venecien dhe industrinë e saj. Kodiku i Lëkurëpunuesve i përkiste datës 14 maj 1657 dhe është një nga kodikët më të vjetër në Ballkan.

Përkrah lëkurëpunuesve ishin dhe saraçët, që merreshin gjithashtu me prodhimin e pajisjeve prej lëkure si rripave, çantave etj si dhe takëmeve prej lëkure që përdoreshin asokohe për kuajt si shalat, frerët etj. Së fundi, mund të përmenden dhe opingarët që merreshin me prodhimin e opingave dhe në shek. XIX këpucarët dhe këpucëbërësit.

Dyqanet e saraçëve dhe opingarëve gjendeshin brenda në sheshin e ndërmjetëm të Bezistanit dhe deri në shpalljen e pavarësisë kishte rreth 40 mjeshtër saraçë. Në fakt, bezistani përbëhej nga 100 dyqane të tregtarëve të manifakturave.

Teknikat e punimit të lëkurëve të punuara ose gjysmë të punuara ishin shumë të përparuara dhe ishin baza e egzistencës së një industrie vendase të punishteve të elaborimit të lëkurëve, e përqëndruar kryesisht edhe në Shkodër e në Kosovë. Është për t’u theksuar se në shek. XIX numëroheshin në Elbasan rreth 35 punishte të tilla.

Arti i drugdhendësit dhe argjentarit të cilët merreshin me artizanatin dekorativ dhe punimin me argjend të ar mëve u bë i njohur edhe në Venecie së pari sepse drugdhendësit shqiptarë ishin të pranishëm në Venecie dhe së dyti sepse punimet e tyre me anë të eksporteve ishin të preferuara dhe përtej detit.

Përveç kodikëve të grupuar në bazë profesioni, egzistojnë edhe kodikët sipas përkatësisë fetare. Këtu bëjnë pjesë kodikët e kishës ortodokse të Elbasanit, që ruhen në arkivat shtetërorë ndër të cilët kodiku 82, 86 dhe 87. Kodiku 86 i shkruar nga Emanuel Makri është hartuar më 5 mars 1562 dhe lidhet me ligjet dhe kanunet kishtare ku përfshihen kryesisht fejesat, martesat, testamentet etj dhe është shkruar në Zante ose Zakynthos, një ishull jonik në varësi të Korfuzit, që ishte asokohe pjesë e Republikës së Venecies deri në vitin 1797. Sigurisht, shpresoj se në të ardhmen, kodiku do të jetë objekt hulumtimesh të mëtejshme.

Artizanët ose zanatçinjtë ashtu si vetë tregtarët i investonin paratë e tyre për ngritjen e shkollave dhe shkollimin e fëmijëve të tyre, të cilët më pas i dërgonin në shkollat tregtare të Venecies dhe më vonë pas dekadave të fundit të shekullit XVIII dhe në shek. XIX me daljen në pah të Triestes, si pol tregtar i Perandorisë Austriake në shkollat tregtare të Triestes dhe Vjenës. Sigurisht, deri në vitin 1797 që shënon Rënien e Republikës së Venecies, Venecia ishte partneri tregtar më i rëndësishëm për tregtinë me Shqipërinë, por pas kësaj date do të zëvendësohej me Perandorinë Austriake.

Në shek XVII-XVIII, u vu re një lulëzim dhe rritje demografike e qyteteve shqiptare[16]. Në vitin 1670, Elbasani kishte një pazar me rreth 900 dyqane dhe 9 hane ku ndaleshin tregtarët e huaj[17], ndërsa në shek. XIX kishte rreth 26 hane të tilla.

Megjithatë, nga mesi i shekullit XIX, sipas konsullit austriak të Janinës Gustav Georg von Hahn ka një tkurrje të popullsisë së Elbasanit, që numëronte rreth 2200 shtëpi.

Në shek. XVII mori hov tregtia e jashtme, e brendshme dhe artizanati dhe u zhvillua tregu shqiptar, i cili ndërthurej me panairet ndërballkanike. Tregtia me Venecien pas ngritjes së konsullatës veneciane të Durrësit më 1670 dhe të Shkodrës në vitin 1706 i hapi rrugën ngritjes deri në gjysmën e parë të shek. XVIII të konsullatave të tjera të huaja në Durrës (ku përfshiheshin konsullata franceze, hollandeze, angleze, austriake, spanjolle etj).

Duhet patur parasysh se roli i konsullatave të huaja në Shqipëri në shek. XVII-XVIII ishte shumë i gjerë, sepse ato drejtonin tregtinë dypalëshe drejt vendeve përkatëse dhe sipas marrëveshjeve dypalëshe ose kapitulacioneve me Perandorinë Osmane, ushtronin ligjet e tyre tregtare në portet kryesore shqiptare përsa i përket taksave konsullore mbi mallrat e import-eksportit dhe taksave të lundrimit për anijet tregtare.

Sigurisht, në zhvillimin e tregtisë në Elbasan në shek. XVII, luajti një rol të rëndësishëm hapja e konsullatës veneciane të Durrësit më 1670, e cila qe konsullata e dytë e huaj pas asaj të Raguzës (Dubrovnikut), që kishte nën jurisdiksionin e saj portet shqiptare të Tivarit, Ulqinit, Shirgjit mbi lumin Buna të Shkodrës, Shëngjinit, Vlorës dhe Sajadhës. Kjo do të thoshte se rruga tregtare e Shqipërisë që kalonte nëpërmjet Durrësit u kthye në një udhëkryq të mallrave që kalonin nga i gjithë Ballkani drejt Venecies.

Në shek. XVIIII, në një letër që nënkonsulli venecian i Shkodrës Anton Duoda u dërgon autoriteteve veneciane shkruan se njëfarë Mark Kabashi nga Elbasani ishte angazhuar me personelin e konsullatës austriake, spanjolle dhe raguzane.

Në këtë mënyrë, tregtarët e Elbasanit si shumica e tregtarëve shqiptarë që merreshin me tregtinë e jashtme u kthyen gjithashtu në shpërndarës të mallrave industrialë europianë të importit në Shqipëri. Vlejnë të përmenden këtu veshjet dhe cohërat londrinë prej leshi, pëlhurat prej mëndafshi, pambuku e liri, beretat dhe fesi, metalet, kancelari, mallra kolonialë, materiale për punishtet si përshembull për regjjen e lëkurëve, ngjyrosës etj, të cilat pasi plotësonin nevojat për furnizim të vendit, dërgoheshin në panairet e Strugës, Ohrit, Mavronorit, Doljanit, Serezit, Përlepit, Manastirit, Selanikut, Filipopolit etj. Përveç Elbasanit si treg i Shqipërisë së Mesme që kishte tre panaire: panairi i Shinjonit pranë manastirit të Shën Gjon Vladimirit, i Shën Ilisë dhe i Shën Mrisë, tregtarët e Elbasanit ishin ngarkuar që të kujdeseshin për panairet e Dibrës dhe Pojanit. Këto panaire ishin gjithashtu burim lëndësh të para dhe prodhimesh zejtare gjysmë të punuara ose të punuara të destinuara për eksport.

Disa prej artizanëve merreshin kryesisht edhe me tregtinë brenda vendit, por mund të kalonin me shtresën e tregtarëve që ushtronin tregtinë e jashtme.

Në qytet kishte gjithashtu 14 magazina, ku ruheshin manifakturat dhe vaji i tregtarëve.

Zhvillimi demografiko-ekonomik dhe mirëqenia u reflektuan në shekullin e XVII në aspektin kulturor si përshembull në arkitekturën e ndërtimeve që u kryen në qytet. Udhëtari turk Evlja Çelebi flet edhe për Kullën e Sahatit e ndërtuar në Elbasan në vitin 1670 pranë xhamisë së Kullës dhe portës jugore të Kalasë afër tregut dhe pazarit, ashtu si dhe Kulla e Sahatit në Tiranë. Esnafet në disa raste kontribuan jo vetëm në zhvillimin ekonomik, por edhe në përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve sociale me anë të donacioneve të vakëfeve të tyre[25]. Vakëfet gjithashtu luanin rolin e një “banke”, e cila mund të mbështeste anëtarët e esnafit me anë të kapitalit të përbashkët me financime. Shpesh pronarët e tyre ishin tregtarë ose artizanë dhe kjo duket nga emërtimi i pronës që mund të ishte dyqan, han, pronë e esnafit etj.

Një organizim i tillë esnafor sjell ndërmend dy shekuj më parë gildet në bazë profesioni dhe kombësie në Venecie, si “Shkolla e Shqiptarëve” (1442-1788), e cila mblidhte tregtarë dhe artizanë të komunitetit shqiptar në Venecie, të cilët ishin të mbështetur nga një bankë dhe kontribuonin për shtresat në nevojë, bënin bamirësi sidoemos në ditët e festave dhe financonin piktorë dhe skultorë për zbukurimin e selisë së tyre ose për ristrukturimin e objekteve të kultit.

Në disa qytete shqiptare, fitimet nga tregtia u investuan gjithashtu në fushën e botimeve dhe të shtypshkonjave duke gjetur një terren të përshtatshëm në Venecia, një qytet i begatë përsa i përket numrit të madh të librave të rinj.

Elbasani qe zona ku lulëzuan edhe arti i përkthimeve të ungjillit në shek. XVII si “Ungjilli” i anonimit të Elbasanit dhe i Ungjillit, Dhjatës së Vjetër dhe Meshës së Shën Johan Gojëartit nga Theodhor Haxhifilipi (1730-1805) ose Dhaskal Todri, i cili donte të sillte një shtypshkronjë nga Venecia në vitin 1805, por nuk ia arriti qëllimit.

Lidhjet e ngushta ndërmjet Shqipërisë dhe Venecies u reflektuan edhe në art. Onufri që mëndohet të jetë nga Neokastra ose Elbasani pikturoi afreske bizantine në kishën e Shën Kollit në Shelcë, kishën e Shën e Premtes në Valësh dhe të Shën Mërisë në Shpat në vitin 1554[28]. Si themelues i Shkollës Ikonografike të Beratit, ai do të ndiqej nga djali i tij Nikolla, Joani, Onufër Qiprioti dhe Kostandin Shpataraku. Në fakt, ndonjë autor sheh një lidhje të Onufrit me Venecien, metropolin e artistëve ku takohej arti gotik dhe ai bizantin në stilin e tij që ishte ndikuar nga arti venecian dhe manierist. Egziston një hipotezë që ai të jetë kthyer nga qyteti lagunar para se të pikturonte në kishën e “40 shenjtorëve” në Kostur.

Gjithashtu, edhe Onufër Qiprioti u largua drejt Venecies pas Rënies së Qipros në vitin 1571 dhe karriera e tij do të zhvillohej më pas në Shqipëri.

Në shek. XVIII, Kostandin Shpataraku zbukuroi kishën e Shën Gjon Vladimirit dhe pikturoi edhe Karl Topinë, princin e Durrësit, i cili e ndërtoi këtë tempull në vitin 1381 dhe më pas më 1392 e vuri Durrësin në duart e venecianëve për ta mbrojtur nga turqit.

Si përfundim, mund të themi se marrëdhëniet tregtare të Elbasanit me Venecien ndikuan jo vetëm në mirëqenien e qytetit, por edhe në jetën kulturore e sociale të tij, sepse nga mesi i shek. XVI i dhanë gjallëri artit dhe në shekujt XVII-XVIII u reflektuan në raportet dypalëshe ndërmjet autoriteteve veneciane me autoritetet e Elbasanit, në shkollimin e brezit të ri të bijve të tregtarëve në shkollat e Venecies, Triestes e Vjenës dhe në lidhjet me shtypshkronjat dhe botimet e librave në Venecia. Rolin kryesor për daljen në pah të Elbasanit si qendër e rëndësishme tregtare e pati tregtia e begatë e Durrësit me Venecien në periudhën 1670-1720 dhe më pas e Shkodrës në periudhën 1720 dhe përgjatë shek. XIX./Telegraf.al

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here