Gjatë vitit 2019, më shumë se 47 mijë persona janë larguar nga vendi në emigrim, një shifër e bërë publike nga Instat. Numri i emigrantëve të rinj e zgjeroi diasporën shqiptare me 2.6 përqind vetëm në një vit, teksa totali i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, arriti në gati 1.7 milionë persona.

Demografët prisnin që emigracioni të stabilizohej pas dy dekadave të para të tranzicionit, në fakt zhvillimet kanë shkuar në të kundërtën, duke reflektuar thellimin e fenomenit. Me krizën ekonomike të vitit 2008, heqjen e vizave më 2011 dhe mungesën e prosperitetit ekonomik, një valë e re emigracioni u rikthye fuqishëm më 2015 ku rreth 69 mijë shqiptare aplikuan për azil në vendet anëtare të BE-së.

Në një anketë të mëparshme për emigracionin, Instat ka zbuluar se numri i individëve gjithsej të larguar nga Shqipëria, në periudhën 2011 – 2019 rezulton më shumë se 360 mijë banorë dhe arsyeja kryesore është ajo me karakter ekonomik.

Vendet që numërojnë një numër të lartë shtetasish shqiptarë, si dhe rezidentë të lindur në Shqipëri janë Greqi, Itali, Gjermani dhe Britani e Madhe. Të dhënat e Anketës së Komunitetit Amerikan për vitin 2019 tregojnë që shqiptarë të gjeneratës se parë në vitin 2019 janë 99 mijë persona, ndërsa gjenerata e dytë është më shumë se 115 shqiptarë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto statistika janë publikuar nga monitor, bazuar në të dhënat e plota të Institutit të Statistikave.

Migrimi ndërkombëtar ka qenë një forcë e madhe në ndryshimin e popullsisë në dy dekadat e fundit. Arsyeja kryesore për rënien e popullsisë në dy censet e fundit ishte emigrimi në shkallë të gjerë i qytetarëve shqiptarë. Në Shqipëri, ashtu si edhe në vende të tjera, migrimi përfshin veçanërisht të rinjtë, të cilët migrojnë për arsye punësimi, mundësi arsimimi dhe arsye familjare.

.

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here