Publikohet kryeartikulli i gazetës “Zëri i Popullit” i datës 12 dhjetor 1990, ku me gërma të mëdha njoftohej mbledhja e plenumit të 13-të të Komitetit Qëndror të PPSH-së, i cili përveç marrjes së vendimeve mbi mbajtjen e Kongresit të X-të të saj në qershorin e vitit 1991 dhe Aktivit Kombëtar të Partisë për në datën 26 dhjetor të atij viti, njoftonte edhe shkarkimin nga funksioni të anëtarëve të Byrosë Politike, të ‘shokëve’: Muho Asllani, Simon Stefani, Lenka Çuko, Foto Çami, Hajredin Çeliku, si dhe Qirjako Mihali dhe Pirro Kondit, nga detyra e kandidatit të Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së, e takimin e ‘shokut’ Ramiz Alia, me një përfaqsi të studentëve të Universitetit Shtetëror të Tiranës.

KOMUNIKATË

MBI MBLEDHJEN E PLENUMIT TË 13-të TË KOMITETIT QËNDROR TË PPSH

Dje më 11 dhjetor 1990 nën drejtimine shokut Ramiz Alia u mblodh Plenumi i Komitetit Qëndror të Partisë i cili shqyrtoi gjëndjen aktuale dhe rekomandoi masat përkatëse për përmirësimin e saj.

Lidhur me sa më sipër ai vendosi:

Në qershor të vitit 1991 të mblidhet Kongresi i X i zakonshëm i Partisë.
Më 26 dhjetor 1990 të mblidhet në Tiranë Aktivi Kombëtar i Partisë për të përcaktuar platformën elektorale të Partisë dhe për të aprovuar listën e kandidatëve të saj për deputetë në Kuvendin Popullor.

Plenumi liroi nga funksioni anëtarët e Byrosë Politike shokët Muho Asllani, Simon Stefani, Foto Çami, Hajredin Çeliku dhe shokët Qirjako Mihali, dhe Pirro Kondi nga detyra e kandidatit të Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH.

Ju rekomandua Kryetarit të Këshillit të Ministrave që në përputhje me situatat e tanishme t’i propozojë Presidiumit të Kuvendit Popullor ndryshimet e nevojshme në qeveri.

Plenumi shprehu mendimin se është në dobi të demokratizimit të mëtejshëm të jetës së vëndit dhe të pluralizmit krijim i organizatave politike të pavarura në përputhje me ligjet në fuqi.
PLENUMI I 13-të I KOMITETIT QËNDROR TË PARTISË PUNËS SË SHQIPËRISË

Tiranë, më 11.12. 1990

Memorie.al

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here